Reference photo of single house in Michalovce 11

Çati apo tarracë?

Cilën të zgjedhim dhe përse? Materialet dhe teknikat në ndërtim ndryshojnë dhe zhvillohen vazhdimisht, dhe krahas kësaj edhe ndërtesat ku banojmë. Po t`i hedhim sytë te realiteti ynë do të shohim se vendi ka plot zgjidhje arkitektonike nga më të ndryshmet. Për mirë apo për keq, në këtë mes kemi liri të gjerë në projektimin e ndërtesave tona. Çdo zgjidhje individuale pasqyrohet mbi mjedisin tonë dhe “vizaton” siluetën e qytetit.

Çatitë janë penelatat përfundimtare që formojnë pamjen e tij të plotë.

Gjykuar përtej mesazheve estetike, ato sigurojnë përfundimin e qëndrueshëm dhe të prerë, pa të cilin çdo konstruksion do të ishte i papërfytyrueshëm. Lloji i çative varet nga konfigurimi i godinës, veçoritë e klimës, ndikimi arkitektonik, mbindërtesat ose pjesët e veçanta të godinës që dalin mbi çati. Variantet për formën e konstruksioneve të çative, llojet e mbulesave dhe mënyra e largimit të ujit janë të shumta dhe ato vazhdojnë të perfeksionohen. Një analizë e përgjithësuar e ndërtimit të banesave për variantet më të përhapura tregon se zgjedhjet kryesisht janë dy: çati ose tarracë. Këto grupe dallohen sipas shenjës më tipike: pjerrësisë së sipërfaqeve.   

  • ÇATITË– këto dallohen për pjerrësi të konsiderueshme, e cila mund të variojë në caqe të caktuara. Sipas Standardit të Shtetit Bullgar, në Bullgari çati quhen ato që kanë pjerrësi mbi 7%. Mbulesat për këto janë të llojllojshme: nga tjegullat tradicionale dhe të provuara ndër vite, nga lamarinat e sheshta dhe të profiluara e deri te kashta dhe xunkthi.
  • TARRACAT E RRAFSHËTA – ndonëse nuk janë tamam ashtu se, dhe ato kanë një pjerrësi. Edhe pse e papërfillshme, por shërben për largimin e ujit në drejtimin e caktuar (tek ulluqet). Pjerrësia varion nga 1 deri 7% (0,5 - 4°). Çatitë e rrafshëta duhet ta kenë mbulesën pa tegel ose me bashkime absolutisht të papërshkueshme nga uji.

Si të zgjedhim ndërmjet çatisë së pjerrtë dhe asaj të rrafshët?

Si çdo gjë tjetër, edhe të dyja këto grupe kanë avantazhet dhe mangësitë e veta, të cilat është mirë t`i dini që të mund të bëni zgjedhjen për shtëpinë tuaj.

Tradita kundrejt kohëve moderne

Çatia Tondach
Çatia Tondach

Klima e butë tek ne ka bërë që çatitë tona të mos ndjekin një konfigurim të caktuar. Mirëpo, tradita flet për diçka tjetër. Arkitektura e traditës na jep shembullin e shkëlqyer të shtëpive të Rilindjes që ndërtoheshin me resurse dhe teknika vendase. Ustallarët duhej t`i nxirrnin ujët e reshjeve jashtë shtëpisë dhe krejt natyrshëm preferonin strukturën e qartë të çatisë së pjerrët.  

Këtij shembulli mund t`i shtohen dhe pamjet e mjaft siluetave të ndërtesave urbane me fasadë të pestë të veshur me tjegulla. Vendpushimi i Dubrovnikut të Kroacisë dhe ishulli i Shën Stefanit janë ndër shembujt e shumtë që të impresionojnë me materialitetin dhe koloritin unik të tyre. Aty çatitë janë të mirëkombinuara me mjedisin dhe ruajnë frymën e vendit. Nga ana tjetër, arkitektura bashkëkohore ndjek tendencën kryesore të formave të pastra. Vëllimet janë hapësira të pastra ortogonale që përfundojnë më së shpeshti me çati të rrafshëta. Kjo lloj çatie është një nga tiparet dalluese të modernizmit -  një  stil që e ndryshon rrënjësisht konceptin mbi arkitekturën dhe interpretohet e zhvillohet në vijimësi deri në ditët tona.

Estetika

Çatia Tondach
Çatia Tondach

Të vëna përballë formës minimaliste të çative të rrafshëta, çatitë e pjerrëta ofrojnë larmi të madhe formash. Përveç me dy dhe me katër kulme, ato mund të kenë forma të ndryshme komplekse në varësi të zgjidhjes së planit të ndërtesës. Mbulesat e çative kthehen në pjesë të pandashme të pamjes së plotë të ndërtesës, duke e pasuruar me forma, ngjyra dhe tesktura të ndryshme. 

Largimi i ujit

Çatia Tondach
Çatia Tondach

Kjo është kategoria më e gjerë për trajtim dhe njëkohësisht më qenësore. Për funksionimin e drejtë të çdo çatie duhet të mbahet parasysh sasia dhe lloji i reshjeve që i duhet të “përballojë”. Lidhur me këtë përcaktohet dhe tipi i largimit të ujit, i cili ndahet përgjithësisht në dy lloje: i jashtëm dhe i brendshëm (përkatësisht për çati të pjerrëta apo të rrafshëta).

Largimi i jashtëm i ujërave ka disa avantazhe të rëndësishme, sepse uji largohet shpejt jashtë ndërtesës. Kjo shmang riparimet e vështira dhe të kushtueshme të rrjedhjeve.

Tarracat e rrafshëta nuk janë të rekomandueshme për zonat malore dhe në përgjithësi për vende me reshje të mëdha shiu dhe bore. Te këto çati uji kullohet ngadalë, dëbora mbahet, shkrihet në vend dhe mund të krijohen pellgje.

Te pjerrësitë më të mëdha të çative dëbora rrëzohet relativisht shpejt dhe bie direkt mbi tokë. Por te këto çati ka një rrezik tjetër: rrëzimi i sasive më të mëdha të dëborës mund të shkaktojë prishjen e hinkave dhe ulluqeve, si dhe aksidente të papritura. Që këto të evitohen, janë parashikuar sisteme borëmbajtëse. Sistemet përfshijnë tjegulla borëmbajtëse, kapëse, grila ose kombinim të këtyre elementeve. 

Përdorimi i mëtejshëm i ujit të shiut

Sistemet e jashtme të largimit të ujit të çative të pjerrëta lejojnë drejtimin dhe kontrollimin e rrjedhës. Tjegullat natyrale qeramike nuk përdorin aditivë kimikë, prandaj dhe nuk kanë ndikim në cilësinë e ujit të reshjeve dhe ky ujë është i përdorshëm.

Nga ana tjetër, kur tarracat e rrafshëta nuk mirëmbahen si duhet, krijohen pellgje. Po kush do të donte një pishinë të paplanifikuar mbi tarracën e vet?

Mirëmbajtja

Çatia Tondach
Çatia Tondach

Çatitë e pjerrëta nuk kanë nevojë për këtë lloj mirëmbajtje, sepse shiu merr me vete nga pjerrësitë gjethet e rëna dhe mbeturinat. Përveç kësaj, sistemi i largimit të ujit të ndërtesës është tërësisht i zbuluar dhe mund të kontrollohet dhe të riparohet. Çdo tjegull ndërrohet lehtë dhe shpejt kur ka nevojë, pa qenë i nevojshëm një riparim i plotë.

Nga ana tjetër tarracat e rrafshëta kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme të sistemeve të largimit të ujit. Duhet bërë kujdes që të mos ketë mbetje në hinkën që bashkon ulluqet, sepse kjo mund të bllokohet dhe pastaj të shkaktohen rrjedhje të padëshirueshme në ndërtesë.

Ventilimi

Tjegullat qeramike, si material natyror ndërtimi për çatitë e pjerrëta, ndihmojnë gjithashtu në rregullimin e temperaturës. Falë ventilimit të natyrshëm të hapësirës midis tjegullave dhe veshjes prej druri të çatisë së pjerrët krijohet një mikroklimë e favorshme gjatë të gjitha stinëve, ndërsa lagështira e akumuluar nxirret jashtë. 

Efiçenca e energjisë

solar panels
Poza articol casa energetica 0001

Ndërtesat me çati të pjerrëta janë 12.5% më kompakte se ato të rrafshëta, ku sipërfaqja e banuar është e njëjtë (Burimi; TU Wien). Në këtë mënyrë, një sipërfaqe më e vogël ka kontakt të drejtpërdrejtë me mjedisin e jashtëm. Si rezultat reduktohen shpenzimet e ngrohjes. 

Panelet diellore dhe instalimet fotovoltaike mund të integrohen lehtë mbi sipërfaqet e çative të pjerrëta, pa e prishur ndikimin e tyre të tërësishëm. Kjo i shton shtëpisë një funksionalitet të vlefshëm.

Përdorshmëria

Përdorshmëria
Përdorshmëria

Tarracat e rrafshëta mund të kthehen në një hapësirë të përdorshme (sidomos në vende me klimë më të butë). Me gjelbërim ose jo, me pergola ose pajisje të tjera mbrojtëse kundër diellit, kjo tarracë mund të sjellë një tjetër funksionalitet të banesës. Por duhet të theksohet se mbulesat e çative të përdorshme duhet t`i përgjigjen disa kushteve. Ato u nënshtrohen ngarkesave të vazhdueshme, luhatjeve të mëdha të temperaturave dhe deformimeve. Ngarkesat mund të shkaktojnë dëmtime mekanike të hidroizolimit dhe si pasojë e gjithë tarraca mund të kompromentohet. 

Çatitë e pjerrëta gjithashtu mund të japin mundësi për formimin e sipërfaqeve të tjera të banueshme pa pasur nevojë të shtohet një kat tjetër. Ndryshe nga çatitë e rrafshëta, ato kanë hapësira të mbrojtura dhe komode gjatë tërë vitit e jo vetëm në mot të mirë. Vetëm se pjerrësitë e tyre i bëjnë këto hapësira më të ngushta.

Hapësira e mbrojtur e nënçatisë, përveç si depo, mund të përshtatet shumë mirë si sipërfaqe që përdoret për atelie, zyrë, madje dhomë gjumi. Nëse preferoni komoditetin e kthinave të tilla me forma të thyera, duhet të mendoheni si ta “ftoni” dritën e natyrshme në shtëpi – me baxhë dhe dritare të tjera për çati.

Investimi fillestar / rentabiliteti

Përgjithësisht, riparimet e çative të pjerrëta janë më të kushtueshme, por kur çatia është ndërtuar mirë dhe është zbatuar me cilësi sistemi i plotë i saj, del më rrallë nevoja për investime të tilla se te çatitë e rrafshëta. Nëse tjegullat janë vendosur dhe janë fiksuar në mënyrë të sigurt, asnjë stuhi nuk mund ta rrezikojë tërësinë e çatisë. Përveç kësaj ato kanë garanci afatgjatë, ndërkohë që jetëgjatësia e tyre vlerësohet në mbi 100 vjet.

Kështu që investimi fillestar rikthehet me kalimin e kohës dhe siguron qetësi për njerëzit e shtëpisë.

Çatia është ndër zërat e rëndësishëm të buxhetit për ndërtimin e shtëpisë tuaj. Ajo është një komponent kyç që do të mbrojë shtëpinë tuaj dhe kështu do të garantojë qetësinë tuaj.

Zgjedhjen e lëmë në dorën tuaj. Me rëndësi është që t`i besoni materialeve cilësore dhe zbatimit me specialistë të provuar. 

Urban roofers builder standing on roof checking toof tiles wearing hard hat and safety jacket

Keni pyetje rreth nesh ose produkteve tona?

Na kontaktoni dhe do t'ju ndihmojmë!

Mbështetje e personalizuar

Keni nevojë për ndihmë?

Dëshironi një ofertë të personalizuar?

Gjeni një distributor

Gjeni distributorin më të afërt

Abonohuni në 'newsletter'

Mos humbisni të rejat më të fundit nga ne

Artikuj të ngjashëm